Secondary Adv

Rënia e euros ul peshën e borxhit në valutë, arrin në nivelin më të ulët të dekadës

Forcimi i vazhdueshëm i lekut në kursin e këmbimit po ndikon në uljen e peshës së borxhit publik në valutë të huaj.

Në mesin e vitit 2026, borxhi në monedhë të huaj përbënte 40.1 për qind të totalit të borxhit publik, duke qëndruar pranë nivelit më të ulët të të paktën një dekade.


Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rreziku i kursit të këmbimit, i shprehur si raporti i borxhit në monedhë të huaj ndaj totalit të borxhit publik, ishte 40.1 për qind në mesin e këtij viti. Treguesi ishte pothuajse në të njëjtin nivel me fundin e vitit të kaluar dhe në rënie nga 40.9 për qind që regjistrohej një vit më parë.


Në vlerë absolute, borxhi i jashtëm neto në mesin e vitit 2026 ishte rreth 5.6 miliardë euro, në nivele afërsisht të njëjta me fundin e vitit të kaluar. Teprica e borxhit të jashtëm, e shprehur në euro, paraqitet relativisht e qëndrueshme që prej vitit 2024. Megjithatë, efekti i kursit të këmbimit ka ulur si vlerën e tij të shprehur në lekë, ashtu edhe peshën në strukturën e përgjithshme të borxhit publik.


Kursi i këmbimit euro-lek ka shënuar rënie me ritme të përshpejtuara gjatë vitit 2026. Në fund të qershorit, euro kishte humbur 2.7 për qind kundrejt lekut krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa rënia është thelluar më tej gjatë muajve korrik dhe gusht.


Sipas Ministrisë së Financave, përmirësim kanë shënuar edhe treguesit e tjerë të rrezikut të borxhit publik. Rreziku i rifinancimit të borxhit të brendshëm, i matur si pjesa e borxhit që maturohet brenda një viti ndaj totalit, zbriti në 33.4 për qind në fund të qershorit, nga 40.9 për qind një vit më parë. Ky tregues ka arritur aktualisht nivelin më të ulët historik.


Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji për zgjatjen graduale të maturitetit të borxhit publik, me synim uljen e rrezikut të rifinancimit dhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit. Në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 1,179 ditë, nga 1,002 ditë në fund të vitit 2025, duke reflektuar përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë.


Në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025–2029, Ministria e Financave vlerëson të nevojshëm vazhdimin e masave për reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit. Objektivi është rritja e peshës së titujve afatmesëm dhe afatgjatë në portofolin e borxhit të brendshëm.


Edhe rreziku i normave të interesit, i shprehur si përqindja e borxhit që rifiksohet brenda një viti kundrejt totalit të borxhit publik, zbriti në 33.4 për qind, nga 41 për qind në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Në tërësi, borxhi publik i Shqipërisë ka ndjekur një tendencë rënëse gjatë viteve të fundit, i mbështetur nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe nga një politikë fiskale më e konsoliduar, me deficite buxhetore më të ulëta. Pasi arriti një nivel rekord prej më shumë se 74 për qind të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie dhe në mesin e vitit 2026 zbriti në 54.02 për qind të PBB-së.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat